
Analiza e Përgjithshme e Zgjedhjeve ne Kosove 2025 dhe Partitë Turke
Analiza e Përgjithshme e Zgjedhjeve ne Kosove 2025 dhe Partitë Turke
Në zgjedhjet e përgjithshme të zhvilluara më 9 shkurt 2025në Kosovë, qytetarët morën pjesë me një përqindje prej 42,45%. Kosova, shteti më i ri i Evropës, realizoi zgjedhjet e saj të nënta parlamentare që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, kaloi një moment historik, pasi zgjedhjet u mbajtën për herë të parë në datën e parashikuar dhe u realizuan nga qeveria e parë që përfundoi mandatin katërvjeçar.
Sipas rezultateve të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e udhëhequr nga Albin Kurti, mbajti vendin e partisë se parë me 40,90% të votave, po ashtu Kryeministri Albin Kurti u rendit si politikani i parë që ka marrë më se shumti vota në historinë e vendit duke siguruar 337.101 vota.
Përveç kësaj, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) u rendit e dyta me 22,04% të votave, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) fitoi 17,64%, Koalicioni për Kosovën Fituese mori 7,46%, dhe Lista Serbe 4,59%.1
Nga ana tjetër, duke pare shpërndarjen e votave të tri partive turke, Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) mori 0,56%, Partia e Lëvizjes Inovative Turke (YTHP) 0,20%, dhe Partia Turke e Drejtësisë të Kosovës (KATP) 0,07%. Krahasuar me rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021, partitë turke pësuan një rënie të dukshme, ndërkohë që partitë kombëtare shënuan një rritje të numrit te votave.2
Në këtë kuadër, Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, realizoi vlerësimin e plotë të procesit zgjedhor, duke u bazuar në parimet e transparencës dhe paanësisë. Në raportin e tij të vlerësimit, misioni i BE-së e cilësoi procesin zgjedhor si një periudhë paqësore dhe aktive përkundër retorikës së ashpër që pasqyronte ndarjet e thella politike. Raporti theksoi se zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë paqësore dhe konkurruese me pjesëmarrjen e të gjitha grupeve, ndërsa kuadri i ri ligjor u provua për herë të parë. Megjithatë disa vonesa në shpalljen e rezultateve, procesi i përgjithshëm u vlerësua si i qëndrueshëm dhe në përputhje me parimet demokratike.
Raporti gjithashtu theksoi se Subjektet politike nga komunitetet e vogla jo shumicë u përballën me sfida në financimin e fushatës, dhe për disa, qasja e kufizuar në media krijoi kushte të pabarabarta. Në vend të kësaj, subjektet politike jo shumicë zhvilluan shumicën e aktiviteteve të tyre të fushatës brenda komuniteteve të tyre.3
Në anën tjetër, ligji i ri zgjedhor hyri në fuqi më 3 korrik 2023 dhe solli ndryshime të rëndësishme. Një nga ndryshimet kryesore ishte rritja e numrit të kandidatëve për deputet nga 5 në 10 për secilin subjekt politik. Përveç kësaj, ligji i ri parashikon ndryshime në mënyrën e numërimit të votave për deputetët, heqjen e heshtjes zgjedhore 24 orë para ditës së zgjedhjeve, si dhe mundësinë e votimit përmes postës në misionet diplomatike dhe degët e Republikës së Kosovës jashtë vendit.4
Në këtë kuadër, një tjetër cikël zgjedhor ka përfunduar dhe tani është thelbësore formimi i shpejtë i qeverisë së re, i cili ka rëndësi të jashtëzakonshme për vazhdimin e procesit të integrimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe strukturat euroatlantike, sidomos për rinisjen e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Po ashtu, qëndrimet e ekipit të ri të Komisionit të Bashkimit Evropian dhe prioritetet e administratës së re amerikane do të kenë një ndikim të rëndësishëm në forcimin e stabilitetit politik të Kosovës dhe pozicionit të saj në arenën ndërkombëtare.
Nëse e vlerësojmë zgjedhjet e 9 shkurtit nga perspektiva e subjekteve politike turke në Kosovë, është e qartë se rezultatet nuk janë shumë inkurajuese. Krahasuar me zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, humbja e ndjeshme e votave mund të shpjegohet kryesisht me mungesën e një programi të qartë dhe të konsoliduar politik, koordinimin e pamjaftueshëm të fushatave zgjedhore, si dhe mangësitë në komunikimin me votuesit si dhe paaftësinë për të përballuar dhe zgjidhur ndarjet dhe përplasjet shoqërore që kanë vazhduar për shumë vite.
Niveli i ulët i pjesëmarrjes në zgjedhje tregon një zhgënjim të dukshëm, kryesisht për Partinë Demokratike Turke të Kosovës, e cila është përfaqësuar me një ministër dhe dy deputetë. Më pas, paaftësia e subjekteve të reja politike, siç është Partia e Lëvizjes Inovative Turke, për të ofruar zgjidhje alternative ka qenë një nga shkaqet kryesore që ka çuar në një rënie të ndjeshme të mbështetjes për partitë. Ky trend ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në rënien e besimit tek këto parti, duke çuar në një tërheqje të mbështetjes nga baza e votuesve dhe dobësimin e përfaqësimit politik të turqve në Kosovë.
Për të bërë një analizë më detajuar të numrit të votave dhe shpërndarjes së tyre për partitë turke në Kosovë dhe liderët e tyre, zgjedhjet e vitit 2021 dhe 2025 janë shqyrtuar përmes grafikëve dhe tabelave të mëposhtme.
Burimi: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
Grafikët e sipërm përfshijnë votat nga Kosova dhe ato nga jashtë vendit. Duke analizuar totalin e votave në zgjedhjet e vitit 2021, rezulton se KDTP ka pësuar një rënie, nga 6496 vota në 4823 vota në zgjedhjet e vitit 2025, ndërsa YTHP ka shënuar një rritje, duke kaluar nga 1243 vota në 1800. Në total, në zgjedhjet e vitit 2021, dy partitë turke kishin një total prej 7.739 votash, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2025, me përfshirjen e votave të KATP partisë se trete (634 vota), numri total i votave të partive turke arriti në 7.257. Fatkeqësisht, subjektet politike turke kanë pësuar një humbje te dukshme prej rreth 7% në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021.
Rezultatet e zgjedhjeve dhe prioritetet e qytetareve duhet të shërbejnë si një sinjal për partitë politike ekzistuese. Dështimi për të adresuar problemet strukturore ekonomike, për të përmirësuar sistemet e arsimit dhe shëndetësisë, si dhe regresi në nivelin e zhvillimit shoqëror dhe mirëqenies kanë sjellë një humbje të besimit të elektoratit turk në partitë politike turke.
Politikanët duhet të largohen nga retorika politike dhe të fokusohen në formulimin e strategjive dhe politikave konkrete që do të adresojnë këto çështje, për të ndaluar rënien e mëtejshme të mbështetjes dhe besimit të shoqërisë turke në institucionet politike të Kosovës.
Ebru Zborça
——-