Lajmet Kryesore

Takimi Vjetor i 11-të i FUEN TAG u organizua nga Turqit e Bullgarisë

Pakicat dhe komunitetet turke nga 10 vende të ndryshme të Evropës u mblodhën në takim në qytetin e Varnës.
Takimi Vjetor i 11-të i Grupit të Punës për Pakicat/Komunitetet Turke pranë Federatës së Komuniteteve Evropiane (FUEN TAG) u zhvillua në qytetin Varna të Bullgarisë nga 29 maji deri më 1 qershor 2025, nën organizimin e turqve të Bullgarisë.

Ngjarja u organizua nga Shoqata për Zhvillim Rinor dhe Inovativ, në emër të turqve të Bullgarisë, dhe mblodhi së bashku përfaqësues të komuniteteve dhe pakicave turke që jetojnë në një rajon të gjerë nga Ballkani deri në Kaukaz. Në takim morën pjesë përfaqësues të 17 organizatave turke nga dhjetë vende të ndryshme të Evropës.

Në takim morën pjesë përfaqësuesit e turqve të Thrakës Perëndimore, të Rodosit dhe Istanköy-it, të Ahiskas, të Tatarëve të Krimesë, Turqve të Kosovës, Gagauzëve të Ukrainës, Turqve të Maqedonisë së Veriut, Gagauzëve të Moldavisë, Turqve të Bullgarisë dhe Turqve të Rumanisë.

Pjesëmarrësit patën mundësi të njihnin nga afër problemet aktuale të Turqve të Bullgarisë

Delegacioni i FUEN TAG i kryesuar nga zëdhënësi Halit Habip Oğlu, më 30 maj, vizitoi Xhaminë Sherif Halil Pashës (Xhamia Tombul) në qytetin Shumen, në rajonin verilindor të Deliormanit. Gjatë vizitës mori pjesë edhe Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Turqisë në Burgas, Tolga Orkun.
Më pas, delegacioni u prit nga Myftiu Rajonal i Shumenit, Mesut Mehmed, i cili i informoi ata mbi aktivitetet e myftinisë dhe gjendjen e rajonit.

Delegacioni vizitoi edhe Medresenë teologjike “Nuvvab” në Shumen, një shkollë me histori 103-vjeçare, ku drejtori i shkollës, Sherif Hysni, i informoi mbi të kaluarën e saj.

Delegacioni i FUEN TAG u takua me Përfaqësues të Komunitetit Turk në Shumen

Në një takim të mbajtur në qytetin e Shumenit, delegacioni i FUEN TAG u takua me përfaqësues të komunitetit turk lokal. Në takim morën pjesë edhe Konsulli i Përgjithshëm i Turqisë në Burgas, Tolga Orkun dhe atasheja për çështje sociale, Mehmet Ungan.

Në fjalët përshëndetëse të mbajtura nga Konsulli Orkun, zëdhënësi i FUEN TAG Halit Habip Oğlu dhe nënkryetari i FUEN, Nabi Ibrahimçik, u trajtuan çështje që lidhen me arsimin, mësimin në gjuhën amtare, ruajtjen e identitetit turk dhe trashëgimisë kulturore të turqve të Bullgarisë.
Ibram Ahmed, anëtar i Shoqatës për Zhvillim Rinor dhe Inovativ dhe sekretar i Shtëpisë së Kulturës Popullore “Paqja”, mbajti një prezantim ku informoi në detaje mbi organizatat kulturore dhe artistike të turqve në Bullgari dhe sfidat strukturore me të cilat ato përballen.

Pas takimit, delegacioni i FUEN TAG vizitoi shtëpinë-muze të mundësit të famshëm Koca Jusuf në fshatin Karalar të rrethit Shajtançik, ku u informua nga kryeplaku i fshatit, Ismail Ebazer, mbi jetën dhe sukseset e tij.

U përcaktuan aktivitetet dhe udhërrëfyesi i FUEN TAG për periudhën 2025-2026

Më 31 maj u zhvillua një tryezë e rrumbullakët me pjesëmarrjen e zëdhënësit të FUEN TAG, Halit Habip Oğlu dhe nënkryetarit të FUEN, Nabi Ibrahimçik.
Habip Oğlu informoi mbi aktivitetet e TAG-ut, ndërsa Ibrahimçik mbi zhvillimet e fundit në FUEN.

Pas kësaj Përfaqësuesit e komuniteteve pjesëmarrëse të Turqve të Bullgarisë, Thrakës Perëndimore, Rodosit dhe Istanköy-it, Turqve Ahiska, Tatarët e Krimesë, Turqve të Kosovës, Gagauzëve të Ukrainës dhe Moldavisë, Turqve të Maqedonisë së Veriut dhe ata të Rumanisë – ndanë zhvillimet e fundit në komunitetet e tyre dhe problemet me të cilat përballen, si dhe informuan mbi aktivitetet e organizatave që përfaqësojnë.

Takimi përfundoi me përcaktimin e programit të aktiviteteve të FUEN TAG për vitin 2025-2026 dhe hartimin e një udhërrëfyesi të përbashkët në bashkëpunim me organizatat pjesëmarrëse.

Pas takimit, delegacioni i FUEN TAG mori pjesë në një vizitë në qytetin Varna, të organizuar nga eurodeputeti Ilhan Kyçyk, si dhe në darkën zyrtare, ku ishin të pranishëm edhe Konsulli i Përgjithshëm i Turqisë në Burgas, Tolga Orkun, dhe deputeti i Lëvizjes për të Drejta dhe Liri (HÖH), Hüsnü Adem.

Back to top button